Lajme Flash :

Përparimet teknologjike dhe zbatimi i tyre në mjekësi

Sunday, June 24, 2012





Përparimet teknologjiko-shkencore dhe zbatimi i tyre në mjeksi po sjell mrekulli. Që nga mekanika bio-inxhinierike e deri tek novacionet e fundit të përdorimit të realitetit virtual për mjekimin e pacientëve, mundësitë janë të pafundme. I përdorur më parë në formën e lojërave elektronike për stërvitjen e ushtarëve, tani përparimi në Realitetin Virtual po ofron lehtësira në kurimin e pacientëve me djegie. Materiali në vazhdim na çon në Siatell të shtetit të Uashingtonit për të na njohur me një projekt të realitetit virtual që ofron lehtësimin e dhimbjeve për një pacient me djegie të rënda trupore.

18 vjeçari Xhordan Robinson ka dhimbje të forta.  Së bashku me shokët e tij menduan se do ishte ide e mirë loja për të qëlluar me shigjeta të zjarrta qese të mbushura me benzinë  në oborrin e shtëpisë së tij. Siç po e përjeton edhe vetë Xhordani, ideja ishte tejet keqe. Ai gjendet në spital dhe po mjekohet për djegie të renda në të dy këmbët. 

“Kam përjetuar thyerje kockash dhe shumë gjera të tjera por asnjëherë nuk kam ndjerë dhimbje të tilla. Dhimbje të vazhdueshme dhe tejet intensive, dhimbje serioze.”  


Mjekimi i diegieve është ndër procedurat më me dhimbje. Pacientëve zakonisht u jepen doza të larta qetësuesish si morfina që ndihmon në përballimin e dhimbjeve.  Por morfina ka shumë efekte negative. Nuk lehtëson të gjitha dhimbjet dhe zakonisht zgjat qëndrimin në spital sepse pacientët bëhen të varur nga droga dhe kanë nevojë për më shumë kohë për ta marrë veten.  Xhordan po mjekohet me morfinë por në të njëjtën kohë edhe me një paisje të re.

Ndërkohë që i bëjnë terapi fizike, që normalisht shkakton dhimbje, mendja e tij është tejet larg, e pushtuar në një peisazh dëbore, një realitet virtual i kompjuterizuar.  Gjatë terapisë fizike, Xhordan udhëton në një botë të dëbortë përgjatë një kanioni të akullt, ku luan duke u gjuajtur me topa bore me pinguinët dhe njerëzit prej dëbore.  20 minuta më pas .....Xhordan buzëqesh!  



“Ndihmon shumë. Nuk e prisja që të ishte kaq e efektshme. Nuk kam bërë ndonjëherë ndonjë gjë të tillë dhe nuk e prisja të kishte kaq ndikim.”   

Hunter Hoffman është drejtor i Qendrës Kërkimore për Realitetin Virtual në universitetin e Uashingtonit dhe krijues i lojës elektronike “Snow World”, botës së dëbortë.

“Realiteti virtual u jep pacientëve një vend ku të humbasin veten. Është tendencë e natyrshme, që kur ke dhimbje kërkon të largohesh nga ai mjedis apo nga shkaktari i dhimbjeve. Kur i mjekojmë pacientët, megjithëse me trup i duam aty, duam që me mendje t’i dërgojmë në një botë të mbuluar me dëborë. Si rezultat pacientëve u krijohet iluzioni se janë në botën e krijuar nga kompiuteri dhe mendja nuk është aq e angazhuar për të perceptuar sinjalet e dhimbjes.”

Profesori David Paterson, njëkohësisht shefi i psikologjisë në spitalin Harbor View në qytetin Siatell të shtetit të Uashingtonit, ka punuar prej vitesh me Hunter Hofman në projektin e Realitetit Virtual.  Ai shpjegon se përdorimi i Realitetit Virtual për lehtësimin e dhimbjeve nga djegiet realizohet në dy mënyra. Njëra është përmes largimit të vëmendjes dhe tjetra ka të bëjë me hipnotizimin e pacientit dhe pastaj duke përdorur hipnozën gjatë kujdesit shëndetësor.

“Po mundohemi të ndërthurim të dy mënyrat për të parë nëse mund të përmirësojnë efektet e tyre.”  

Shpërqëndrimi i vëmendjes është provuar se lehtëson afro 30 deri 50 përqind dhimbjet gjatë mjekimit të plagëve nga djegiet. Hapi i radhës në këtë fushë është kombinimi i të dy teknikave me shpresën se mund të kenë rezultate edhe më të mira për pacientin por edhe duke mundësuar reduktimin e dozave të ilaçeve për dhimbjet.

Tek koka  e krevatit të Xhordan qëndron mamaja, Kejt Robinson.

“Kur po e sillnim në spital e përkedhelja dhe i thoja se sa shumë e doja. Por sapo të shërohet do t’ia tregoj qefin.”


Ndërkohë që Xhordan duket se do të humbasë semestrin e parë në universiet, ai pritet që të shërohet plotësisht. Përsa i përket së ardhmes së teknologjisë së realitetit virtual në mjekësi, Hofman thotë se mundësitë janë të pafundme.
Ndaje këtë artikull në :

0 Komente:

Post a Comment

 

© Copyright iTech.al | iTech Albania News 2011 -2012 | Design by Ismet Ahmetaj | Published by iTECH Albania Solutions | Powered by ITECH ALBANIA.